Sot, në Tiranë, letërsia rumune dhe ajo shqiptare u takuan në një atmosferë të veçantë kulturore, në një veprimtari kushtuar librit, poezisë dhe krijimtarisë letrare. Dita e katërt e Festivalit Ndërkombëtar të Krijimtarisë Letrare “Titel Constantinescu” iu kushtua promovimit dhe përurimit të disa botimeve, duke mbledhur së bashku shkrimtarë, studiues, njerëz të kulturës, si dhe dashamirës të letërsisë. Veprimtaria kulturore u zhvillua në Bibliotekën “Moikom Zeqo” në Tiranë, ku u prezantuan disa vepra që sjellin më pranë kulturat rumune dhe shqiptare.

Në qendër të takimit ishte antologjia dygjuhëshe rumune-shqiptare “Tăceri comune” (Heshtje të përbashkëta), me autorë Mihaela Aionesei, Vilia Banta, Florentina Chifu, Constantin Marafet, Maria Nicolai, Luminița Răileanu dhe Nicol Sere.
Gjithashtu u promovua antologjia dygjuhëshe rumune-shqiptare e autores Mihaela Aionesei, me titull “Liniștea dinaintea tăcerii” (Qetësia përpara heshtjes), si dhe vëllimi “Vers alb” (Varg i bardhë), me autore Camelia Sava.
Takimi letrar mori një rëndësi të veçantë edhe nga prania e Shkëlqesisë së Tij, Ambasadorit të Rumanisë në Shqipëri, z. Octavian, Șerban së bashku me pjesëtarë të komunitetit arumun dhe shqiptarë, dashamirës të letërsisë dhe kulturës.

Veprimtaria u zhvillua në bashkëpunim me Fondacionin “Harriet Martineau”, të përfaqësuar nga Entela Binjaku, duke kontribuar në forcimin e lidhjeve kulturore rumuno-shqiptare dhe në promovimin e letërsisë rumune në Shqipëri.
Takime të tilla dëshmojnë edhe një herë se libri dhe letërsia janë ura që lidhin njerëzit, gjuhët dhe kulturat. Në Tiranë, fjala letrare rumune u takua me kulturën shqiptare në një dialog të bukur, të ndërtuar mbi miqësinë, bashkëpunimin dhe respektin për diversitetin kulturor.




