veprimtari

Pjesëmarrja e Fondacionit H.Martineau në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE)

Fondacioni Harriet Martineau mori pjesë në takimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian (KKIE), me pjesëmarrjen e Sh.S. znj. Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin në Komisionin Evropian, me temë: “Gjendja aktuale e procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.

Në fjalën e saj, Sh.S.Znj. Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin, Komisioni Evropian tha se ishte e kënaqur që shihte një përfaqësim kaq të gjerë në KKIE, duke bashkuar partitë politike, institucionet dhe shoqërinë civile. Ajo theksoi se do të duhen që degët e ndryshme të politikës dhe shoqërisë shqiptare të bashkojnë forcat, jo vetëm debat, për të realizuar aspiratat evropiane. 2027-ta, mund të jetë viti i Shqipërisë” tha Sh.S.Znj.Marta Kos. Ajo vlerësoi se: “Viti i kaluar ka sjellë përparim të jashtëzakonshëm në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Shqipëria ka hapur të gjitha grupet negociuese në vetëm 13 muaj. Katër kapituj janë mbyllur tashmë. Ne presim që pothuajse një e katërta (për t’u konfirmuar) e të gjithë kapitujve negociues të mbyllen deri në fund të këtij viti. Manifestimi më i dukshëm i këtij besimi ishte miratimi nga Shtetet Anëtare i raportit të vlerësimit të përkohshëm të standardeve mbi sundimin e ligjit më herët në maj. Ky ishte një moment vendimtar në negociatat e pranimit. Dhe ju e arritët atë me shpejtësi rekord”.Duke iu referuar Udhërrëfyesit, znj. Kos tha se: “Udhërrëfyesi që kemi publikuar në fillim të këtij muaji tregon rrugën, por nuk është garanci”. Më tej znj. Kos shtoi se: “Sa më afër t’i afrohesh anëtarësimit, aq më e rëndësishme bëhet të demonstrohet se institucionet funksionojnë dhe se ligjet zbatohen në praktikë. Për Shtetet tona Anëtare, rezultatet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe harmonizimi juaj me legjislacionin mjedisor të BE-së, do të jenë ndër provat më vendimtare dhe fokusi do të jetë te zbatim, te veprimet. jo te fjalët… Ndërsa zbatimi i ligjeve të reja është një provë thelbësore, është po aq e rëndësishme se si miratohen këto ligje. Kjo është arsyeja pse Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian ka rëndësi. Ky Këshill përfaqëson një vend ku diskutohet hapur e ardhmja evropiane e Shqipërisë, ku dëgjohen pikëpamje të ndryshme dhe ku mund të gjendet terren i përbashkët”.