Më 27 dhe 28 shtator, në Elbasan u organizua veprimtaria kushtuar shijes së gatimeve tradicionale arumune. “Ekspozita e shijes” u mbajt më 27 dhe 28 shtator 2025 përkatësisht në mjediset e bar “Meduzës” dhe më 28 shtator 2025 në Famullinë Ortodokse “Shën Nikolla” prej orës 11.00. “Ekspozita e shijes”e çelur në mjediset e Barit “Meduza” te shtunen e 27 shtatorit afroi pranë kureshtarë dhe vizitorë.

E diela në Famullinë Ortodokse “Shën Nikolla” solli në vëmendje mjeshtërinë e gatimit të zonjave arumune të Elbasanit. Këtë ditë e gëzoi me praninë e Tij Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit Hirësi Andoni qe i hapi dyert kësaj veprimtarie. Të pranishmit patën mundësinë të shijonin gatimet e përgatitura nga duart e amvisave, gatimet karakteristike të identitetit arumun të këtij qarku dhe recetat që ruajnë kulturën dhe historinë lokale. Veprimtaria shërbeu si një urë lidhëse midis trashëgimisë dhe identitetit shpirtëror, duke afruar vendas, vizitorë dhe besimtarë. Me pjesëmarrjen e amvisave lokale dhe mbështetjen e KPK-se kjo veprimtari u kthye në një nderim për bukurinë e rrënjëve arumune dhe shijen që e kaluara vijon të mbahet e gjallë nga duart e amvisave.

Veprimtaria dyditore kushtuar promovimit të trashëgimisë kulturore të pakicave kombëtare në Shqipëri u realizua mbështetur nga Komiteti për Pakicat Kombëtare të Republikës së Shqipërisë në kuadër të Thirrjes së Dytë për vitin 2025 me moton “Diversiteti na bashkon: Ruajmë traditat dhe zakonet, ndërtojmë të ardhmen”. Kjo ishte veprimtaria e tretë e këtij projekti duke u paraprirë nga demonstrimet dyditore në Fier dhe Korçë. Nëpërmjet demonstrimit të kulinarisë tradicionale të amvisave arumune që jetojnë në Elbasan do të promovohen gatimet e kësaj pakice që do të jenë edhe pjesë e botimit të një broshure mbi “Trashëgiminë Kulinare” duke nisur që nga përgatitja e ushqimit tradicional, historiku i tyre, deri tek recetat përkatëse.