Bazuar në Ligjin nr. 15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”, i ndryshuar, pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë është ngritur dhe funksionon Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE), si struktura më e lartë këshillimore kombëtare për integrimin europian, i cili nxit dhe garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publike, shoqërisë civile dhe grupeve të tjera të interesit si dhe siguron rritjen e transparencës në vendimmarrjen për çështjet e integrimit europian. Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian ka në përbërje të tij si anëtarë, kryetarët dhe zv.kryetarët e komisioneve parlamentare, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe institucioneve kryesore kushtetuese, si dhe përfaqësues nga:
a) organizatat e shoqërisë civile të përfshira në çështjet e integrimit europian, të cilat i përgjigjen thirrjes për aplikim dhe ftohen për çdo grupkapitujsh (Neni 6, pika 3, shkronja h) e Ligjit nr. 15/2015, të ndyshuar;
b) organizatat e biznesit, dhomave të tregtisë dhe sindikatave të përfshira në çështjet e integrimit europian, të cilat i përgjigjen thirrjes për aplikim dhe ftohen sipas kapitullit të ekspertizës (Neni 6, pika 4, shkronja b) e Ligjit nr. 15/2015, të ndyshuar;
c) media, të përfshirë në çështjet e integrimit europian, të cilët i përgjigjen thirrjes për aplikim dhe ftohen sipas kapitullit të ekspertizës (Neni 6, pika 4, shkronja ç) e Ligjit nr. 15/2015, të ndyshuar.
Përfaqësuesit nga subjektet e mësipërme aplikojnë pranë Sekretariatit Teknik të KKIE dhe marrin pjesë në takime sipas tematikave që diskutohen, për një periudhë 2-vjeçare.
Më poshtë gjeni thirrjet për aplikim për çdo subjekt si dhe kriteret përkatëse.
Thirrje për aplikimin për anëtarësimin e përfaqësuesve të OSHC-ve në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian
Bazuar në Ligjin nr. 15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”, i ndryshuar, pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë është ngritur dhe funksionon Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE), si struktura më e lartë këshillimore kombëtare për integrimin europian, i cili nxit dhe garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publike, shoqërisë civile dhe grupeve të tjera të interesit si dhe siguron rritjen e transparencës në vendimmarrjen për çështjet e integrimit europian.
Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian ka në përbërje të tij si anëtarë, kryetarët dhe zv.kryetarët e komisioneve parlamentare, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe institucioneve kryesore kushtetuese, si dhe përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile të përfshira në çështjet e integrimit europian, të cilat i përgjigjen thirrjes për aplikim dhe ftohen për çdo grupkapitujsh (Neni 6, pika 3, shkronja h) e Ligjit nr. 15/2015, të ndyshuar.
Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile që aplikojnë pranë Sekretariatit Teknik të KKIE, marrin pjesë në takime sipas tematikave që diskutohen, për një periudhë 2 vjeçare.
Në përzgjedhje përparësi u jepet atyre organizatave që kanë vazhdimësi në veprimtarinë e tyre dhe ofrojnë ekspertizë në lidhje me çështjet e integrimit europian. Përzgjedhja do të bëhet në bazë të ekspertizës së tyre me legjislacionin dhe politikat e Bashkimit Europian.
Të gjithë të interesuarit, për t’u bërë pjesë e këtij Këshilli, duhet të paraqesin një letër interesi, që duhet të përmbajë:
• Të dhënat e organizatës;
• Fushat e ekspertizës;
• Listën e raporteve/studimeve/ analizave/fushatave/projekteve të zhvilluara 3 vitet e fundit, të cilat lidhen me çështjet e integrimit europian;
• Kapitullin/kapitujt e acquis në të cilët mund të kontribuojnë;
• Anëtarësinë në rrjete/koalicione kombëtare/rajonale/ndërkombëtare;
• Platformën për kontributin që ofron në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian.
Letra e interesit e shoqëruar me dokumentacionin e regjistrimit të organizatës sipas legjislacionit shqiptar, duhet të dërgohet në adresën elektronike info.stkkie@gmail.com, brenda datës 28 tetor 2025.
Burimi: www.parlament.al




