SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri zhvilloi dje Takimin Vjetor të Asamblesë, një ngjarje e rëndësishme që shërbeu si një moment reflektimi mbi arritjet e organizatës gjatë vitit 2025 dhe si një mundësi për të prezantuar vizionin dhe objektivat për vitet e ardhshme. Gjatë takimit, Drejtorja Nacionale e organizatës, Mimoza Manaj, prezantoi rezultatet dhe progresin e arritur gjatë vitit të fundit, duke vënë theks të veçantë te përmbyllja me sukses e ciklit strategjik 2023–2025. Ajo prezantoi gjithashtu strategjinë e re 2026–2030, e cila do të udhëheqë veprimtarinë e organizatës në mbështetje të fëmijëve, të rinjve dhe familjeve në nevojë në të gjithë vendin. Një tjetër moment i rëndësishëm i takimit ishte prezantimi i ndryshimeve në Bordin e Organizatës.

Asambleja u njoh me emërimin e znj. Entela Binjaku në detyrën e Kryetares së Bordit, duke shënuar një fazë të re në drejtimin dhe zhvillimin e organizatës. Në këtë rast, u shpreh mirënjohje e veçantë për z. Deralla për kontributin dhe angazhimin e tij të jashtëzakonshëm gjatë 30 viteve në SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri. Përgjatë kësaj periudhe, ai ka shërbyer me përkushtim si Anëtar i Asamblesë, Anëtar i Bordit dhe Kryetar i Bordit, duke dhënë një ndihmesë të vyer në forcimin dhe zhvillimin e organizatës. Pjesëmarrësit në takim vlerësuan gjithashtu rolin dhe mbështetjen e vazhdueshme të anëtarëve të Asamblesë, të cilët me besimin, përkushtimin dhe kontributin e tyre kanë ndihmuar në realizimin e misionit të SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri. Në përfundim të takimit u ritheksua angazhimi i përbashkët i organizatës, partnerëve, anëtarëve dhe mbështetësve për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për çdo fëmijë dhe të ri. SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri do të vazhdojë të punojë për të siguruar që çdo fëmijë të rritet me dashuri, kujdes dhe siguri, duke pasur mundësinë të ndërtojë një jetë të pavarur, dinjitoze dhe të suksesshme.




