Gazeta e pakicës maqedonase në Shqipëri “Ilinden” shënoi 15-vjetorin e botimit të saj. Ceremonia festive u zhvillua në mjediset e Hotelit dhe Restorantit “Dreri”, në Tiranë. Veprimtaria, e organizuar në mesditën e së mërkurës së 1 prillit 2026 mblodhi miq, bashkëpunëtorë dhe dashamirës të gazetës, përfaqësues të misionit të OSBE-së në Tiranë, përfaqësues të shoqatave të pakicave etj. Të pranishëm ishin edhe maqedonas nga Tirana, Elbasani, Korça, Golo Brdo, Prespa, Gora, si dhe të ftuar të tjerë, anëtarë të Shoqatës Maqedonase “Ilinden”.

Në këtë përvjetor mori pjesë dhe përshëndeti znj. Radmila Stojmirovska, E Ngarkuara me Punë e Republikës së Maqedonisë të Veriut në Tiranë. Ndër të pranishmit ishin gjithashtu z. Atanas Ploça, nënkryetar i Bashkisë së Pustecit, Vasil Sterjovski, kryetar i “Aleancës së Maqedonasve për Integrim Europian”, Verica Mukoska, lektore e gjuhës maqedonase në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, si dhe avokati Nikolla Angelovski, nënkryetar i Shoqatës “VARDAR-MKD” nga Podgorica, Mali i Zi. Në takim mori pjesë edhe përfaqësuesja e Fondacionit Harriet Martineau. znj.Entela Binjaku.




