Fjala e znj. Entela Binjaku në 30- vjetorin e Organizatës SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri
Të nderuar miq,
Këtë vit mbushen 30 vjet që kur Organizata SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri nisi të veprojë në vendin tonë.
Kam qenë edhe në festimet e 20-vjetorit: salla ishte plot si sot, kishte pjesëtarë të stafit, profesionistë, partnerë, donatorë, vullnetarë, kisht edhe njerëz që sot nuk janë më, ndaj do të dëshiroja ta nisja fjalën me një duartrokitje falënderuese dhe mirënjohjeje për të gjithë kontributin e tyre!
Sot, SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri është 30 vjeç dhe sillet si një i rritur: e njeh më mirë veten, ia di vlerat dhe aftësitë, por edhe i njeh kufijtë e vet. Është më i pjekur, më i qëndrueshëm dhe ka një ndjenjë të fortë përgjegjësie – ndaj vetes, partnerëve, komunitetit, fëmijëve dhe të rinjve. Është i vetëdijshëm për rrugën që ka përshkuar dhe mbi të gjitha, i gatshëm të ndryshojë, të mësojë dhe të maturohet më tej.
Mirenjohje dhe vlerësim për stafin, ekipin që ka punuar dhe punon në këtë Organizatë, për profesionalizmin, përkushtimin dhe angazhimin!
Mirënjohje partnerëve që na kanë mbështetur të jemi kryelartë dhe sypatrembur ndaj cdo sfide!
Falënderim donatorëve që na kanë ndihmuar të qëndrojmë në këmbë dhe drejtë.
Falendërime vullnetareve që ju i shihni kudo si dhe te gjithe atyre qe kane kontribuar me perkushtimin, ekspertizen, kohen dhe besimin e tyre.
Në cilësinë e Kryetares së Bordit jam relativisht e re, por si anëtare e Bordit mund të them se në këtë rrugëtim 30-vjeçar, një rol të rëndësishëm kanë pasur edhe strukturat e qeverisjes së organizatës; Asambleja e Përgjithshme, si organi më i lartë vendimmarrës me individë filantropë që i qasen vullnetarisht kauzës së SOS Fshatrave të Fëmijëve Shqipëri, si dhe Bordi i Drejtuesve, i zgjedhur nga kjo Asamble, i cili mbikëqyr dhe udhëheq në mënyrë të përgjegjshme zhvillimin e organizatës, duke siguruar që misioni, vlerat dhe interesat e fëmijëve dhe të rinjve të mbeten në qendër të vendimmarrjes. Përgjatë tri dekadave Bordi ka qenë pranë organizatës jo vetëm në përmbushjen e përgjegjësive të tij, por edhe në mbështetjen e drejtimit të saj, në çështje të rëndësishme strategjike dhe në forcimin e marrëdhënieve me partnerët dhe aktorët e ndryshëm. Ky angazhim është pjesë e një përgjegjësie të përbashkët: të sigurojmë që SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri të vazhdojë të jetë një organizatë e qëndrueshme, e besueshme dhe e aftë t’u përgjigjet nevojave që ndryshojnë me kohën. Organizata SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri do të vazhdojë të ruajë standardet e larta të kujdesit dhe mbështetjes, në përputhje me misionin dhe standardet e SOS Fshatrave të Fëmijëve në mbarë botën. Kjo do të bëhet e mundur falë njerëzve që punojnë çdo ditë me përkushtim, por edhe falë bashkëpunëtorëve, partnerëve dhe institucioneve që kanë zgjedhur të jenë pjesë e kësaj rruge, së bashku me ne.
Gezuar 30-vjetorin!
