Përmbledhje e veprimtarive të Fondacionit “Harriet Martineau” gjatë vitit 2026
Gjatë vitit 2026, Fondacioni “Harriet Martineau” ka zhvilluar një veprimtari të gjerë kulturore, arsimore, ndërinstitucionale dhe ndërkombëtare, me fokus të veçantë në ruajtjen dhe promovimin e identitetit gjuhësor e kulturor të pakicës kombëtare arumune në Shqipëri. Veprimtarite e fondacionit janë përqendruar në promovimin e gjuhës, trashëgimisë kulturore, bashkëpunimit me organizata dhe institucione shqiptare e të huaja, si dhe në përfaqësimin e interesave të pakicave kombëtare në diskutimet publike dhe institucionale.
1. Ruajtja dhe promovimi i gjuhës
Një nga drejtimet kryesore të punës gjatë vitit 2026 ka qenë vazhdimi i përpjekjeve për ruajtjen dhe përcjelljen e arumanishtes tek brezat e rinj.
- Fondacioni prezantoi projektin “Vazhdimi i klasave të arumanishtes në rajonin e Sqepurit, Berat dhe në rajonin e Mekatit, Vlorë”.
- Projekti, i mbështetur financiarisht nga Departamenti për Rumunët e Kudogjendur, synon krijimin e mundësive për fëmijët dhe të rinjtë që të mësojnë gjuhën e trashëguar nga paraardhësit.
- Në kuadër të projektit u përgatitën materiale promovuese, përfshirë kalendarë, kartolina tematike dhe elemente të veshjeve tradicionale.
- U promovua edhe numri i parë i revistës STAMANA, kushtuar traditave dhe veçorive të kulturës arumune.
2. Promovimi i trashëgimisë kulturore dhe identitetit arumun
Një tjetër drejtim i rëndësishëm ishte projekti “Identitete në dritë: Libri, artizanati dhe trashëgimia”, i realizuar me mbështetjen e Komitetit për Pakicat Kombëtare, në kuadër të thirrjes për vitin 2026 “Trashëgimia si urë bashkëjetese”.
Në datat 15–16 gusht 2026, në Divjakë, u organizua një ekspozim i punimeve artizanale dhe fotografive që pasqyrojnë kulturën e pakicës arumune.
Ekspozita solli në vëmendje:
- Punimet tradicionale me grep dhe shtiza.
- Velenxat dhe rrugicat e endura në tezgjah.
- Punimet e leshit, tjerrjen, ngjyrosjen dhe endjen.
- Elementet e trashëgimisë materiale dhe krijimtarinë tradicionale të grave arumune.
Veprimtaria synoi jo vetëm dokumentimin e kësaj trashëgimie, por edhe njohjen dhe vlerësimin e saj nga komuniteti dhe publiku më i gjerë.
Në datën 27 shtator 2026 i përurua në Korçë libri me titull: Receta te traditës arumune” i autores Lefteri Gjoshe realizuar me mbështetjen e Komitetit për Pakicat Kombëtare, pjese e te njejtit projekt.
3. Nxitja e leximit dhe promovimi i botimeve
Më 8 prill 2026, në Bibliotekën “Moikom Zeqo” në Tiranë, Fondacioni organizoi veprimtarinë kulturore “Lexo, mendo, shkruaj!”.
Takimi iu kushtua librit dhe botimeve të Fondacionit në gjuhën e pakicës kombëtare arumune. Në takim mori pjesë edhe Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri,SH.T. z. Oktavian Sherban.
Nëpërmjet kësaj veprimtarie u synua:
- Ndërgjegjësimi për rëndësinë e diversitetit gjuhësor dhe kulturor.
- Promovimi i librit dhe leximit.
- Njohja me botimet në gjuhën arumune.
- Nxitja e interesit të brezave të rinj për gjuhën dhe kulturën e tyre.
- Më 24 gusht, në orën 11:00, në Bibliotekën “Moikom Zeqo” në Tiranë u mbajt nje veprimtari kushtuar librit. Takimi letrar veror shqiptaro-rumun u mbajt nga editura RAFET, Fondacioni Harriet Martineau dhe Biblioteka Publike “Moikom Zeqo”. Kjo veprimtari erdhi në Tiranë si pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Krijimtarisë Letrare “Titel Constantinesku”, edicioni i 19-të, 2026. Në takim mori pjesë edhe Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri,SH.T. z. Oktavian Sherban.
4. Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe shkëmbimet kulturor
Gjatë vitit 2026, Fondacioni ka punuar për forcimin e lidhjeve me organizata dhe institucione ndërkombëtare.
Disa nga aktivitetet kryesore kanë qenë:
- Bashkëpunimi Shqipëri–Ukrainë: Më 30 mars 2026 u nënshkruan marrëveshje partneriteti me organizata kulturore dhe arsimore në Ukrainë. Marrëveshjet synojnë zhvillimin e bashkëpunimit arsimor, shkencor, kulturor dhe shoqëror, si dhe promovimin e traditave të përbashkëta.
- Vizita studimore rumuno-shqiptare: Në datat 1–3 maj 2026, Fondacioni kontribuoi në organizimin e takimeve me përfaqësues të Shoqatës së Gjeografisë së Rumanisë dhe mësues të institucioneve arsimore rumune. Një çast i rëndësishëm ishte takimi me komunitetin arumun në Sqepur të Beratit.
- Pjesëmarrja në seminarin e 29-të të AGSM/FUEN: Në qershor 2026, përfaqësuesja e Fondacionit mori pjesë në diskutimet rajonale mbi pakicat, identitetin arumun dhe të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor.
- Pjesëmarrja e përfaqësueses së Fondacionit H.Martineau në konferencën UNIFERO mbajtur në qytetin e Jashit të Rumanisë. Më 10–11 gusht 2026, në Iași të Rumanisë, u zhvillua Konferenca e 20-të Ndërkombëtare e UNIFERO – Unionit Ndërkombëtar të Grave Rumune Inc., një veprimtari e rëndësishme kushtuar promovimit të gjuhës dhe kulturës rumune, si dhe ruajtjes së identitetit kulturor për brezat e ardhshëm.
- Pjesëmarrja e përfaqësueses së Fondacionit H.Martineau në konferencën “Diaspora, rrënjë dhe horizonte” mbajtur në qytetin e Jashit të Rumanisë. Më 12–13 gusht 2026, ne Pallatin Roznovanu, në Iași, u zhvillua Konferenca ” Diaspora Rumune: Rrenje dhe horizonte” qe bashkoi zyrtarë të nivelit qendror dhe lokal, përfaqësues të komuniteteve rumune në Diasporë, sipërmarrës dhe personalitete të Iașit.
- Pjesemarrja ne te gjitha takimet online te organizuara nga A. I. CUZA – Gesellschaft für Literatur, Musik und Kunst me qender ne Haidelberg.
Këto veprimtari kanë ndihmuar në zgjerimin e rrjetit të bashkëpunimit dhe në rritjen e dukshmërisë së pakicës arumune në hapësirën ndërkombëtare.
5. Pjesëmarrja në veprimtari institucionale dhe përfaqësimi i pakicave kombëtare
Fondacioni ka vijuar të jetë i pranishëm në diskutimet dhe proceset institucionale që lidhen me të drejtat e pakicave kombëtare dhe integrimin evropian të Shqipërisë.
Ndër angazhimet e evidentuara gjatë vitit 2026 përfshihen:
- Pjesëmarrja në mbledhjet e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian.
- Pjesëmarrja në takimin e organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, në lidhje me gjendjen e të drejtave të pakicave kombëtare në Shqipëri.
- Pjesëmarrja në tryezën e organizuar nga OSBE-ja dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbi të drejtën e votës së pakicave kombëtare.
Këto angazhime dëshmojnë përpjekjen e Fondacionit për të qenë jo vetëm një organizatë promovuese e kulturës, por edhe një aktor i shoqërisë civile që kontribuon në dialogun institucional dhe në mbrojtjen e të drejtave të pakicave.
6. Zhvillimi i medias dhe komunikimit në gjuhën arumune
Një komponent i rëndësishëm i veprimtarisë gjatë vitit 2026 ka qenë vazhdimi i mbështetjes për median në arumanisht.
Fondacioni ka vijuar projektin “Vazhdimi i portalit ARUMUN, i radios online ARUMUN dhe i mbështetjes për RTSH-Gjirokastrën”.
Nëpërmjet këtij angazhimi synohet:
- Ruajtja e hapësirave të komunikimit në gjuhën e pakices arumune.
- Informimi mbi zhvillimet kulturore dhe shoqërore të komunitetit.
- Promovimi i gjuhës nëpërmjet medias digjitale.
- Rritja e ndërgjegjësimit për identitetin dhe trashëgiminë arumune.
Gjithashtu, projektet kulturore janë promovuar përmes portalit ARUMUN, radios online dhe bashkëpunimit me mediat lokale në Lushnjë, Fier dhe Vlorë.
7. Promovimi i dialogut dhe bashkëjetesës ndërkulturore
Përtej aktiviteteve që lidhen drejtpërdrejt me komunitetin arumun, Fondacioni ka marrë pjesë edhe në veprimtari që promovojnë dialogun ndërmjet pakicave kombëtare në Shqipëri.
Një shembull ishte pjesëmarrja në përvjetorin e 15-të të gazetës “Ilinden”, më 1 prill 2026, ku u bashkuan përfaqësues të pakicës maqedonase, organizatave të tjera të pakicave dhe përfaqësues të institucioneve diplomatike.
Kjo pjesëmarrje pasqyron rëndësinë që Fondacioni i kushton bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve dhe njohjes së diversitetit kulturor si vlerë të shoqërisë shqiptare.
Përfundime dhe vlerësim i veprimtarisë gjatë vitit 2026
Nga veprimtaritë e publikuara për vitin 2026 rezulton se Fondacioni “Harriet Martineau” ka vijuar të ndërtojë profilin e tij si një organizatë e shoqërisë civile me angazhim në disa drejtime të ndërlidhura:
- Arsimi dhe gjuha: Mbështetja e mësimit të arumanishtes dhe transmetimi i saj te brezat e rinj.
- Trashëgimia kulturore: Dokumentimi dhe promovimi i traditave, artizanatit, librave dhe elementeve të kulturës arumune.
- Bashkëpunimi ndërkombëtar: Zhvillimi i partneriteteve me organizata dhe institucione në Rumani dhe Ukrainë.
- Përfaqësimi institucional: Pjesëmarrja në diskutimet mbi të drejtat e pakicave kombëtare dhe integrimin evropian.
- Media dhe komunikimi: Vazhdimi i mbështetjes për median në arumanisht dhe zgjerimi i mundësive të informimit.
- Bashkëjetesa ndërkulturore: Nxitja e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve të ndryshme.
Në tërësi, viti 2026 përfaqëson një vit me angazhime të rëndësishme për Fondacionin “Harriet Martineau”, ku veprimtaria kulturore është ndërthurur me edukimin, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përfaqësimin institucional.
Kontributi i Fondacionit dëshmon se ruajtja e një identiteti kulturor nuk realizohet vetëm përmes kujtesës historike, por kërkon veprimtari të vazhdueshme në arsim, botime, media, art, kërkim dhe bashkëpunim ndërmjet brezave.
