Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE) në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA), organizuan një takim ndërgjegjësues mbi sigurinë ushqimore, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, biznesi, grupet e interesit, bota akademike dhe OSHC, pjesë e KKIE.
Takimi i konceptuar si një forum dialogu mes përfaqësueve të Kuvendit, qeverisë dhe grupeve të interesit pati në fokus ecurinë e adresimit të rekomandimeve të Raportit të Komisionit Europian për vitin 2025 në fushën e sigurisë ushqimore, si edhe sfidat me të cilat përballet vendi në plotësimin e angazhimeve në kuadër të procesit të negociatave në Grupkapitullin 5 “Burimet, Bujqësia, Kohezioni”/ Kapitulli 12”.
Aktiviteti u përshëndet nga z. Taulant Balla, Bashkëkryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, i cili pasi u uroi mirëseardhjen të ftuarve, theksoi rëndësinë e takimit në një fazë kyçe dhe mjaft intensive që do të ketë Kuvendi përgjatë vitit 2026 në procesin e negociatave të vendit me BE, për sa i përket volumit të projektligjeve që do të përafrohen me legjislacionin europian si edhe në përmbushjen e piketave gjatë procesit të negociatave me BE. Z Balla theksoi se siguria ushqimore dhe përmbushja e rekomandimeve në Grupkapitullin 5, “Burimet, Bujqësia, Kohezioni” përbëjnë një nga kapitujt më të rëndësishëm dhe sfidues të procesit të negociatave, pasi është një proces teknik, por me ndikim të drejtpërdrejtë politik, ekonomik dhe shoqëror, që kërkon një qasje tjetër të shoqërisë për shkak se lidhet me shëndetin e qytetarëve, besimin e konsumatorëve dhe me një funksionimin real të tregut të brendshëm në vend.
Z. Balla u shpreh se politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitarisë janë gurë themeli për përgatitjen e vendit për tregun e brendshëm europian, si dhe nënvizoi se përmbushja e kërkesave në këtë fushë nuk mund të kufizohet vetëm në përafrimin e legjislacionit, por kërkohet ndërtimi i një sistemi kontrolli efektiv dhe transparent. Duke iu referuar rekomandimeve të Raportit të Komisionit Europian 2025, z.Balla vuri theksin tek zbatimi i legjislacionit të sigurisë ushqimore, rritjen e kapaciteteve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, zhvillimin e laboratorëve dhe garantimin e standardeve në pikat e kontrollit kufitar, si dhe forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore për kontrollin e ushqimeve të importuara.
Z.Balla vlerësoi masat ligjore të ndërmarra me miratimin e ligjit të ri për Kontrollet Zyrtare, i përafruar me Rregulloren (BE) 2017/625, si dhe punën që po bëhet për ligjin e ri “Për Ushqimin”, si dhe investimet përmes projekteve si “EU4FOODSAFETY” dhe “CRAD”, forcimi i pikave të inspektimit kufitar, laboratorëve dhe kapaciteteve njerëzore, për të cilat u shpreh se janë dëshmi se procesi i përafrimit po shoqërohet me masa konkrete në terren. Në përfundim z.Balla theksoi angazhimin e Kuvendit dhe KKIE jo vetëm për të miratuar legjislacionin e nevojshëm, por edhe për të ushtruar mbikëqyrje reale mbi zbatimin e tij, funksionimin e institucioneve përgjegjëse dhe mbi transparencën e procesit.
Z.Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi rëndësinë e takimit në këtë moment, kur agjenda e integrimit ka hyrë në një fazë më të përshpejtuar, për të njohur dhe ndarë mendime mbi çështjet e sigurisë ushqimore, sfidat me të cilat lidhet procesi përgjatë këtij viti. Z.Gjipali theksoi se nevojitet një angazhim më i shtuar nga të gjithë aktorët në këtë fazë, për të ndjekur ndryshimet që po i bëhen legjislacionit në fushën e sigurisë ushqimore në kuadër të përafrimit me Direktivat dhe legjislacionin e BE-së, monitoruar përshtatjen që po bëjnë strukturat për të zbatuar këtë legjislacion, si dhe njëkohësisht të informohen grupet e interesit. Z.Gjipali theksoi se biznesi, shoqatat e agrobiznesit, konsumatorëve dhe grupeve të interesit, duhet të ftohen për të dhënë kontribut, por dhe për të qenë monitorues dhe informues për të gjithë këtë proces.
Më pas, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z.Andis Salla informoi mbi prioritetet dhe angazhimet e institucionit që drejton në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe shëndetit të bimëve, në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Z.Salla theksoi se përgjatë periudhës së fundit është punuar intensivisht për përmirësimin e kuadrit ligjor, forcimin e kontrollit zyrtar në të gjithë zinxhirin “nga ferma në tavolinë”, rritjen e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e infrastrukturës mbështetëse, si laboratorët dhe pikat e kontrollit kufitar. Duke nënvizuar se përafrimi i legjislacionit mbetet një nga detyrat kryesore të procesit, z.Salla informoi se për vitin 2026 parashikohet miratimi i rreth 90 akteve nënligjore dhe 5 akteve zbatuese në fushën e sigurisë ushqimore, 31 akte nënligjore në fushën e veterinarisë për periudhën 2026–2027, si dhe 10 akte nënligjore në fushën fitosanitare gjatë vitit 2026. Në fjalën e tij, ministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së Bashkimit Europian dhe të qeverisë gjermane përmes projektit “EU4FOODSAFETY”, i cili synon përgatitjen e Programit Kombëtar për përmirësimin e standardeve të operatorëve të biznesit ushqimor dhe përmirësimin e cilësisë së qumështit të papërpunuar. Z. Salla theksoi se fokusi i dikastrit që drejton do të jetë edhe forcimi i kontrolleve zyrtare të bazuara në risk, për produktet e importit, eksportit dhe prodhimit vendor, në mënyrë që standardet të zbatohen njësoj në të gjithë territorin, si dhe u ndal në investimet e parashikuara për ndërtimin e shtatë Pikave të Inspektimit Kufitar, forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale të AKU-së dhe ISUV-it. Në përfundim, ministri theksoi se procesi i integrimit kërkon angazhim të përbashkët dhe shprehu angazhimin e MBZHR-së për mbështetjen praktike për operatorët dhe fermerët, me qëllim forcimin e besimit dhe garantimit të sigurisë ushqimore për konsumatorin.
Më pas aktiviteti vijoi me diskutime dhe pyetje drejtuar ministrit të Bujqësisë së Zhvillimit Rural nga: z. Granit Sokolaj, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës ALERT, z.Florian Xhafa, Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Politika dhe Ligj, z.Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, znj.Ersida Teliti, Drejtore Ekzekutive e Qendra për Konsumatorë Shqiptarë, z.Agim Rrapaj, Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptarë, lidhur kapacitetet dhe nevojën e reformimit të inspektorateve, nevojën për fushatë ndërgjegjësimi për fermerët dhe bizneset e lidhura me sigurinë ushqimore, mbi detyrimet dhe sfidat që lidhen me integrimin në Bashkimin Europian, nevojën që linjat e kontrollit mbi produktet ushqimore duhet të jetë e unifikuar “nga ferma në tavolinë”, etj.
Aktiviteti u transmetua live në faqen zyrtare web dhe “Facebook” të Kuvendit.




