KOMUNIKATË PËR MEDIAT
Për organizimin e projektit: “Trashëgimia dhe kultura arumune, së bashku dhe në një tryezë”
Korçë, 20 dhe 21 shtator 2025
Demonstrim dyditor gatimesh tradicionale të përgatitura nga gratë e pakicës kombëtare arumune të Korçës
Më 20-21 shtator 2025 në mjediset e Kishës së Shën Sotirit në Korçë do të mbahet veprimtaria dyditore kushtuar promovimit të trashëgimisë kulturore të pakicave kombëtare në Shqipëri, mbështetur nga Komiteti për Pakicat Kombëtare të Republikës së Shqipërisë në kuadër të Thirrjes së Dytë për vitin 2025 me moton “Diversiteti na bashkon: Ruajmë traditat dhe zakonet, ndërtojmë të ardhmen”. Për të mbërritur me vijimin e këtij projekti në Kishën e Shën Sotirit në Korçë u mbështetëm në disa arsye: Së pari ky institucion i rëndësishëm i kultit dhe besimit për arumunët ndodhet në një rajon ndërkufitar ku janë të pranishëm edhe shumica e grupeve të pakicave kombëtare të njohura në Shqipëri me Ligjin Nr. 96/2017 “PËR MBROJTJEN E PAKICAVE KOMBËTARE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”: pakica arumune, bullgare, greke, maqedonase, rome dhe egjiptiane. Së dyti, realiteti i pakicave sipas Ligjit për Mbrojtjen e tyre është një ndër kushtet kryesore që duhet të respektojë Shqipëria në rrugën drejt integrimit evropian. Së treti, Korça si qytet i kulturës ka dëshmuar dhe dëshmon se mësimi i traditave të pakicave është vlerë e bashkëjetesës multikulturore që shoqëria në përgjithësi e të rinjtë në veçanti kanë nevojë ta mësojnë, ruajnë dhe ta çojnë më tej. Së fundmi, nëpërmjet kulinarisë amvisat arumune të Korçës shprehin jo vetëm traditat dhe vlerat e pakicës së tyre kombëtare, por ndihmojnë mbarë shoqërinë që nëpërmjet gatimit të njohë dhe të lidhë të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen.
Qëllimi: Nëpërmjet demonstrimit të kulinarisë tradicionale të amvisave arumune që jetojnë në Korçë do të promovohen gatimet që do të jenë pjesë e botimit të një broshure mbi “Trashëgiminë Kulinare”. Në broshurë do të përfshihet përgatitja e ushqimit tradicional, historiku i tyre, deri tek recetat përkatëse.
Projekti: Trashëgimia dhe kultura arumune, së bashku dhe në një tryezë” realizohet “Me mbështetjen e Komitetit për Pakicat Kombëtare”.