Më 20-21 shtator 2025 në mjediset e Kishës së Shën Sotirit në Korçë u mbajt veprimtaria dyditore kushtuar promovimit të trashëgimisë kulturore të pakicave kombëtare në Shqipëri. Kjo veprimtari u zhvillua me mbështetjen e Komitetit për Pakicat Kombëtare të Republikës së Shqipërisë në kuadër të Thirrjes së Dytë për vitin 2025 me moton “Diversiteti na bashkon: Ruajmë traditat dhe zakonet, ndërtojmë të ardhmen”.

Lidhur me përzgjedhjen e Korces si një ndër tri qytetet ku po zhvillohet veprimtari Koordinatorja e projektit znj. Binjaku u shpreh: “Për vijimin e projektit kete qytet dhe në Kishën e Shën Sotirit u mbështetëm në disa arsye:

Së pari, ky është institucion i rëndësishëm i kultit dhe i besimit për arumunët që ndodhet edhe në një rajon ndërkufitar ku janë të pranishëm edhe shumica e grupeve të pakicave kombëtare të njohura në Shqipëri me Ligjin Nr. 96/2017 “PËR MBROJTJEN E PAKICAVE KOMBËTARE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”: pakica arumune, bullgare, greke, maqedonase, rome dhe egjiptiane.

Së dyti, realiteti i pakicave sipas Ligjit për Mbrojtjen e tyre është një ndër kushtet kryesore që duhet të respektojë Shqipëria në rrugën drejt integrimit evropian dhe ky arumunët në Korçë janë një komunitet i rëndësishëm.

Së treti, Korça si qytet i kulturës ka dëshmuar dhe dëshmon se mësimi i traditave të pakicave është vlerë e bashkëjetesës multikulturore që shoqëria në përgjithësi e të rinjtë në veçanti kanë nevojë ta mësojnë, ruajnë dhe ta çojnë më tej.

Së fundmi, nëpërmjet kulinarisë amvisat arumune të Korçës shprehin jo vetëm traditat dhe vlerat e pakicës së tyre kombëtare, por ndihmojnë mbarë shoqërinë që nëpërmjet gatimit të njohë dhe të lidhë të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen”.
Në ditën e parë të projektit morën pjesë zonja anëtare të këtij komuniteti të cilat ndanë së bashku rrëfenja nga historitë e gatimeve autentike, receta që i kanë rezistuar kohës dhe shije që kanë lënë gjurmë duke lidhur breza të ndryshëm. I pranishëm në këtë ceremoni ishte z. Margit Jica, Anëtar i Pakicës Kombëtare Arumune në Komitetin për Pakicat Kombëtare të Republikës së Shqipërisë.

Në ditën e dytë të veprimarisë që përkonte edhe me të dielën pas liturgjisë, amvisat arumune ndanë me të pranishmit gatimet e duarve të tyre, servirjen dhe shijet e pakrahasueshme. Veprimtaria e së dielës së 21 shtatorit afroi vizitorë dhe besimtarë kuriozë ju afruan tryezave për t´u njohur me kulinarinë arumune që bazohej kryesisht në përbërës të brumrave të përgatitura sipas recetave të trashëguara në breza, pa lënë mënjanë edhe shpjegimet e tyre.

Projekti do të vijojë me veprimtaritë promovuese të trashëgimisë kulturore të pakicës kombëtare arumune ne Elbasan më 27 dhe 28 shtator 2025. Demonstrimet e kulinarisë tradicionale të amvisave arumune që jetojnë në Fier, Korçë dhe Elbasan do të promovohen edhe si pjesë e botimit të një broshure mbi “Trashëgiminë Kulinare”. Në broshurë do të përfshihet përgatitja e ushqimit tradicional, historiku i tyre, deri tek recetat përkatëse.